Kukësi u bë si kombëtarja e 67-ës që i prishi punë Gjermanisë!

Franc Bekenbauer thuhet se ka deklaruar një herë se “Shqipëria është një ekip “me hënë”, nëse i qëllon dita e saj, i prish punë më të mirëve në botë”. Nuk dihet nëse “Kaizer Franci” i ka thënë me të vërtetë këto fjalë, por mbajmë mend 1967-ën dhe barazimin e famshëm 0-0 në Tiranë që la Gjermaninë Perëndimore jashtë Europianit. Kukësi i Mirel Josës papritur po na duket si Shqipëria e Loro Boriçit, trajnerit që thoshte se “shqiptari është gati të hidhet në zjarr për gruan dhe për vatrën”. Ky Kukës u hodh në zjarr duke “djegur” jo veten, por Vllazninë pasi humbja 3-1 që i shkaktoi mund ta ketë bërë ekipin shkodran që t’i thotë lamtumirë titullit në Superligë.

Ishte e ditur që më parë se Kukësi ishte ekipi i mirë, pavarësisht shkatërrimit që pati me Partizanin dy herë, dhe humbjes 0-2 në Laç. E kishte treguar me Tiranën, por edhe gjatë fazës së parë në Shkodër pikërisht ndaj Vllaznisë. Gjithsesi, nuk jemi edhe aq të qartë nëse kjo fitore erdhi si pasojë e krenarisë kuksiane, dhe e nevojës për pikë, për të mos rrezikuar Superligëm, apo ishte fakti se Vllaznia u dorëzua para presionit, duke iu “dridhur këmbët” e duke humbur gola të sigurt? Ndoshta janë të dyja bashkë, dhe trajneri Tomas Brdariç duhet ta dijë se kështu si po shkon sezoni, rrezikon edhe kualifikimin për në Europë, jo vetëm titullin.

Sfidanti.al