Qesh mirë kush qesh i fundit, për Juven e CR7-ën ishte radha të qanin!

Pritej tjetër gjë, ndonëse dihej se ky ekip ishte ende i pakolauduar. Gjithsesi, dy gola epërsi të shpejtë në stadiumin e Udines krijuan përshtypjen se jemi aty ku duhet me Juventusin e trajnerit Masimiliano Alegri. Edhe pse Kristiano Ronaldo e nisi ndeshjen e Serisë A nga stoli, sërish ish-kampionët u duk se nuk do ta kishin të vështirë. Sidoqoftë, kanë ikur kohët kur në Itali mund të fitoje me “sy mbyllur” me ekipet e vegjël. Udineze pati guximin dhe forcën, dhe Juventusi nuk e pati potencialin, ndaj edhe përballja përfundoi barazim 2-2. Golave të Dibalës e Kuadrados iu përgjigjën Roberto Pereira me penallti dhe Deulofeu. Ronaldo kishte kërkuar vetë ta niste nga stoli dhe hyri kur rezultati ishte 2-1. Në fund, ai e shënoi golin e tij që do të kishte qenë i fitores, por u anulua nga VAR-i për një pozicion jashtë loje milimetrik. Gjëra që ndodhin, dhe Ronaldo nga buzëqeshja (siç duket në foto) kaloi në “të qarë” dhe mori karton të verdhë sepse hoqi edhe fanelën nga gëzimi. Zhgënjim i vërtetë për “Zonjën e Vjetër”, dhe fakti që tregon se kthimi tek titulli nuk është diçka e padiskutueshme.

Sfidanti.al