Qendërsulmuesi Ronaldo, 3 gola Atletikos dhe pranë finales!

Sër Aleks Ferguson i tha dikur Kristiano Ronaldos që të mos shkonte tek Reali i Madridit, pasi atje do ta bënin qendërsulmues. Profecia e skocezit u realizua veçse 8 vjet më vonë. Në këtë rol, ylli portugez udhëhoqi Madridin e madh në fitoren ndaj Madridit të quajtur të vogël, Atletikos, duke shënuar të tre golat e gjysmëfinales së parë. Kritikat ndaj tij kanë qenë të shumta këtë sezon, por CR7 është përgjigjur me më pak gola, veçse në duele vendimtarë, sidomos në Europë.

Tre golat ndaj Atletikos (10’, 74’, 86’) erdhën pas 5 golave në dy ndeshje ndaj Bajernit në çerekfinale, ndërsa kishte shënuar edhe 3 gola të tjerë ndaj bardhekuqve, në derbin e kampionatit spanjoll luajtur në “Visente Kalderon”. Tashmë, Ronaldo ka 400 gola me fanelën e Realit.

Suksesi 3-0 në ndeshjen e parë bën që Reali të jetë favorit absolut për t’u kualifikuar për në finalen e Championsit në Kardif, edhe pse do të duhet të luhet ndeshja e dytë. Duket shumë e vështirë që Atletiko, ekip që luan më shumë për të mos pësuar, të arrijë t’i shënojë të paktën 3 gola Realit dhe të mos pësojë asnjë.

Besohet se gjithë Europa po pret një finale Real-Juventus, që do të ishte një përsëritje e ndeshjes fundore të vitit 1998, edhe pse asnjëra nga skuadrat nuk ka prerë “biletën”, madje Juventusi ende nuk ka shkelur në fushë kundër Monakos.

Sfidanti.al