Pyetjet për PSG-në, dhe goditja e rivalit, Nejmar përgjigjet me lot

Mund të kenë qenë lot të sinqertë, apo thjesht nën stresin e madh të pyetjeve direkte, por Nejmar u largua në atë mënyrë nga konferenca e tij e fundit për shtyp. Shënoi gol me penallti dhe humbi një penallti tjetër me Brazilin ndaj Japonisë (3-1 miqësorja), por pyetjet e gazetarëve nuk ishin për lojën dhe fitoren, por për Paris SG dhe për një veprim antisportiv të tij në fushë.

Cilët janë privilegjet që ke tek PSG, dhe përse i ke kërkuar? Përse ke probleme me Kavanin dhe trajnerin Emeri? A është i përçarë Paris SG prej teje? A do të shkosh tek Reali i Madridit? Së fundi, pyetja ishte përse e godite lojtarin japonez, veprim që e kapi pikërisht teknologjia VAR. “Ney” u përgjigj se “këto janë të gjitha sajesa, nuk kam probleme as me Kavanin dhe as me trajnerin”.

Goditja ndaj japonezit Sakai, e kapur nga VAR, bëri që gjyqtari t’i jepte sulmuesit karton të verdhë, por mediat shkruan se mund të kishte qenë edhe i kuq për agression ndaj kundërshtarit. Trajneri i Brazilit, Tite, që ishte në krah të tij në konferencë për shtyp, e mbrojti futbollistin e PSG-së, duke theksuar karakterin e tij të madhe dhe rolin e rëndësishëm në skuadër, por gjithsesi Nejmar u largua nga salla duke qarë.

Sfidanti.al