Spekullimet ishin të shumta, por klubi nuk u nxitua. Tomas Tuhel do të vazhdojë të jetë trajner i Paris SG, të paktën edhe sezonin tjetër, pasi u konfirmua dhe iu dha zgjatje e akordit në kryeqytetin e Francës. Komunikata e klubit ishte e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë: Tomas Tuhel rinovon kontratën deri në 30 qershor 2021!
Mendohej se gjermani 45-vjeçar mund të shkarkohej menjëherë në fund të një sezoni tepër të vështirë, dhe që përfundoi si mos më keq, me humbjen 1-3 në fushën e Reimsit, në ndeshjen mbyllëse të kampionatit. Ishte edhe ndeshja ku Kilian Mbape humbi shansin për të fituar Këpucën e Artë, duke shënuar vetëm një gol, ndërsa i duheshin katër për të barazuar Mesin.
Tuhelit iu dha besim nga presidenti i klubit, Naser Al Helaifi, pavarësisht nga eleminimi tronditës në Champions, kur pas fitores 2-0 në Angli, PSG-ja u mund 1-3 në Francë nga Mançester Junajtid, që në turin e dytë. Po ashtu, parizienët pësuan një dështim të rëndë në finalen e Kupës së Francës, kur u mundën me penallti nga Rena.
Ishte pikërisht ndeshja, në të cilën Mbape u përjashtua me karton të kuq, duke lënë ekipin me 10 vetë. Ishte edhe sfida kur Nejmar e humbi edhe më shumë mendjen, duke goditur me grusht një tifoz, dhe duke marrë dënimin nga Disiplina për gjestin e tij. Kjo disfatë nxorri në sipërfaqe çarjen mes dy yjeve, pasi Nejmari kritikoi sjelljen e të rinjve, pra edhe të Mbapesë.
Tuhel, pranoi të rinovonte edhe pse është i ndërgjegjshëm, madje e ka deklaruar publikisht, se dy superlojtarët edhe mund të largohen. Trajneri pritej të shkarkohej edhe për përplasjen e ashpër me presidentin Al Helaifi, në tunelin e stadiumit të Lilës, pas humbjes 1-5, ndërsa kërkoi më shumë pushtet për të vendosur mbi lojtarët. U arrit deri aty sa e përditshmja “L’Ekip” deklaroi se Tuhel u rebelua ndaj klubit.
Gjithsesi, konfirmimi i gjermanit në stol nuk është një përjashtim, sepse sheikët nuk i kanë shkarkuar trajnerët e tyre pas sezonit të parë. Kështu ndodhi me Ançelotin, Blankun apo Emerin, kështu edhe me Tuhelin, ndërsa shpresa është që të arrihet triumfi në Champions.
Sfidanti.al