Sarri mohon kontaktet, por zbulohet Juventusi që ka në mendje

Edhe nëse fiton Ligën e Europës, Roman Abramoviçi vështirë se do ta mbajë tek Çelsi. As Mauricio Sarri nuk duket se do të shqetësohet shumë sepse një emër edhe më i madh troket në derë, Juventusi. Vetë tekniku italian mohon kategorikisht të ketë pasur kontakte me klubin nga Torino, por mediat e vendit të tij shkruajnë për tjetër gjë. Jepen të dhëna se cila do të ishte skuadra e dëshiruar nga Sarri.

Së pari, trajneri nuk dëshiron që të ikin ata që janë menduar si të larguar këto kohë, pra Paulo Dibala dhe Miralem Pjaniç. Ai do të luajë me skemën 4-3-3, dhe këta i përshtaten. Po ashtu, do të mbështetet tek Rugani që e ka pasur tek Empoli, ndërsa do të kthejë nga Çelsi, Gonzalo Higuainin me të cilin ka punuar tek Napoli. Bashkë me ta, një lojtar krahu si Dagllas Kosta. Natyrisht, Kristiano Ronaldo është në qendër të sulmit, dhe tepër i rëndësishëm. Gjithsesi, duhet pritur pas së mërkurës së 29 majit, pra pas finales së Ligës së Europës, mes Çelsit dhe Arsenalit.

Sfidanti.al