Barcelona-Valencia, kur favoritët kanë më shumë frikë të humbin

Barcelona cilësohet favorite ndaj Valencias, për finalen e sotme të Kupës së Mbretit në Sevilje, por gjithashtu është edhe finalistja që ka më shumë frikë nga humbja. Pas dështimit në Champions, humbja edhe e një tjetër trofeu do të kthehet në një tragjedi, dhe sezoni do të quhej një dështim.

Nuk ka pse të habitemi, të tilla janë standardet e vendosura nga Mesi me shokë, si dhe nga rivaliteti me Realin e Madridit, që u shpall tri herë radhazi kampion i Europës. Trajneri Ernesto Valverde është vënë në dyshim pas katastrofës në Angli, ndonëse presidenti Bartomeu dhe vetë Mesi i kanë dalë në krah.

“Nuk është se mendoj shumë për të ardhmen time, sepse nuk ka kuptim, – tha ai, – e vetmja gjë që duhet të na shqetësojë është si ta luajmë dhe ta fitojmë finale. Natyrisht, për eleminimin kemi përgjegjësi të gjithë, pra padyshim edhe trajneri. Nuk është se ndjej presion dhe kam besim se do t’ia dalim”.

Barcelona pritet të ketë një skuadër pa mungesa të rëndësishme pasi Semedo dhe Artur u stërvitën para finales, dhe po ashtu ka shpresa për Kutinjon, ndërsa synohet titulli i pestë radhazi, dhe i 31-ta në histori.

Valencia, ndërkaq, ka postuar një video të sukseseve të saj në Kupën e Mbretit, duke rikujtuar trofetë e fituara, plot 7, që nga viti 1941 e deri në 2008. Pra, synohet sukses pas plot 11 vjetëve. Tifozët valencianë janë zhvendosur ndërkohë në Sevilje, ku do të luhet finalja, sonte në orën 21:00. Për ta është ditë feste, dhe shpresojnë që përfundimi të jetë i lumtur, pra të kthehen me kupën në duar, në qytetin e tyre.

Trajneri Marselino nuk do të ketë lojtarin rus, Çerishev, ndërsa mbrojtësi i qendrës, Ezekiel Garai, është në dyshim.

“Është një moment shumë i veçantë, sepse jemi përpara një finaleje, – tha Marselino, – nuk na qëllon të luajmë shpesh ndeshje të tilla, ndryshe nga Barcelona që e ka të zakonshme. Gjithsesi, edhe Valencia ka luajtur disa herë. Jemi këtu për të fituar Kupën. Nuk besoj se tek Barça do të ndikojë humbja me Liverpulin, apo që tek ne do të ndikojë kualifikimi për në Champions. Do të fitojë ai që do të luajë më mirë dhe do të gabojë më pak”.

Valencia arriti finalen pasi kaloi me radhë Ebron, Gihonin, Getafen dhe Betisin. Barcelona, ndërkaq, pati rrugë më të vështirë, sepse pas Kultural Leonesës, erdhën Levante, Sevilja dhe vetë Reali i Madridit.

Sfidanti.al