Rumenige “përdridhet”, Myler e lavdëron, ç’ndodh me Kovaçin?!

“Edhe nëse Bajerni e fiton finalen e Kupës ndaj Lajpcigut 10-0, sërish trajneri Niko Kovaç mund të shkarkohet”. Kjo ishte një konsideratë e tabloidit britanik “Deili Meil” për gjendjen e stolit bavarez, ndonëse e ardhmja e teknikut kroat nuk është e vendosur, as për mirë dhe as për keq. Karl-Hajnc Rumenige, shefi i fuqishëm ekzekutiv i klubit, “u përdrodh” kur u pyet për Kovaçin, duke theksuar se “fitorja 5-0 ndaj Dortmundit krijoi një eufori të madhe, sepse skuadra luajti shumë mirë”. Pra, ndoshta do të ketë “prapakthehu”.

Tomas Myler, një nga lojtarët më të vjetër të Bajernit, pohoi se “trajnerit iu desh të kalonte përmes një beteje të ashpër këtë vit, diçka që unë nuk e kisha parë kurrë më parë”. Një kompliment, pasi Bajerni ishte në tranzicion brezash, dhe Kovaç rikuperoi 9 pikë ndaj Dortmundit për të dalë kampion. “Marrëdhënia jonë me trajnerin është e mirë”, – deklaroi Myleri.

Tifozët, ndërkaq, kanë qenë thuajse gjithnjë në krah të kroatit. Ata, madje brohoritën emrin e tij majin e kaluar pas finales së Kupës në Berlin, edhe pse Bajerni u mund nga Frankfurti. Kovaç e mori Ajntrahtin në kategorinë e dytë, dhe e nxorri në dy finale radhazi të Kupës. Tifozët brohoritën për të edhe pas fitores së Bajernit 5-1 ndaj Frankfurtit. Kovaç thotë se “do të vazhdoj tek Bajerni, kam informacion të dorës së parë”. Pra, konfuzion i vërtetë për të ardhmen!

Sfidanti.al