Mbape i shton një dhuratë Mesit para finales, Këpucën e Artë

I duheshin 4 gola të paktën, që të barazohej me të, dhe të ndanin së bashku Këpucën e Artë. Kilian Mbape nuk mundi të shënonte më shumë se një rrjetë, ndërsa Paris SG pësoi një tjetër humbje në Ligën e Parë të Francës, 1-3 ndaj Reimsit, pra Lionel Mesi u shpall Këpuca e Artë e Europës, pa luajtur fare. Kapiteni i Barcelonës ka 36 gola në 34 ndeshje të La Ligës këtë sezon, ndaj 33 të Mbapesë.

Kjo do të thotë se numri 10 katalanas arriti tek trofeu i 6-të personal, duke thyer edhe më tej rekordin e tij, gjithashtu personal. i dyti, rivali i tij i madh Kristiano Ronaldo me 4 Këpucë të Arta, të fundit në 2015.  Ky sukses mund të jetë një kënaqësi e rëndësishme për argjentinasin, sidomos pas humbjes së rëndë të “Anfildit” në Champions, dhe në prag të finales së Kupës së Mbretit ndaj Valencias, në Sevilje. Falë Mesit dhe Suarezit (2 trofe), Barcelona është klubi më i mirë për Këpucët e Arta, me 9 tituj, ndaj 4 të Realit dhe 3 të Dinamos së Bukureshtit.

Sfidanti.al