Nëse do të vendoseshin, të paktën në stadiumet e Superligës, do të nxirrnin shumë shpejt vlerën e tyre. Kamerat për identifikim të tifozëve problematikë do të zgjidhnin jo pak punë në futbollin shqiptar, por bashkë me to, padyshim do të duhet edhe përfundimi me sukses i Vetingut. Anglia është një shembull shumë kuptimplotë, dhe kjo shihet edhe tek vendimi i fundit i marrë në Premier Ligë.
Një tifoz i Njukasëllit, i quajtur Majkëll Kollins, u përjashtua për 5 vjet nga stadiumi, dhe u gjobit me 550 paund stërlina sepse ofendoi lojtarët e Liverpulit, gjatë ndeshjes së fundit të kampionatit. Ky vendim u mor nga gjykata civile, ndërsa vetë klubi anglez e përjashtoi tifozin e tij nga stadiumi për një kohë të pacaktuar, pra ndoshta edhe përfundimisht. Natyrisht, që kjo të ndodhë në Shqipëri, do të duhet kapacitet më i madh (sidomos) nga prokurorët, dhe “syri i shqiponjës” i Vetingut mbi punën e organeve të drejtësisë.
Sfidanti.al