Pesë fitore radhazi quheshin shumë, por si t’ia vëmë emrin kur bëhen gjashtë? Liverpuli nuk e pati problem sesi do të komentohen sukseset e tij, por thjesht deshi që seria e triumfeve në Premier Ligë të mos ndërpritej. Kështu edhe ndodhi, ndërsa formacioni i trajnerit Jurgen Klop mposhti 3-0 Sauthemptonin në “Anfild”, me një epërsi që vendosi gjithçka që në pjesën e parë.
Tekniku gjerman i dha shansin e titullarit, më në fund edhe Xherdan Shaqirit, dhe shqiptari i Zvicrës nuk e zhgënjeu. Tepër i vendosur dhe energjik, përkundër ndonjë gabimi për shkak nxitimi, ai ishte protagonist i dy prej golave. Fillimisht, detyroi mbrojtjen mike ta dërgonte topin në rrjetë, ndërsa më pas goditi shtyllën, duke ia bërë të lehtë Mohamed Salahut për të realizuar. Mbrojtësi Matip shënoi një tjetër rrjetë, ndërsa Liverpuli mbajti kreun e renditjes me 18 pikë nga 18 të mundshme.
Sukses i thellë edhe për kampionin në fuqi, Mançester Sitin. Skuadra shumë e fortë e Pep Guardiolës la pas humbjen e papritur në Champions me Lionin, duke ia nxjerrë inatin Kardifit, madje brenda në Uells.
Përfundoi 5-0 me katër autorë golash. Kun Aguero, Bernardo Silva, Ilkai Gyndogan dhe dy herë Rijad Mahrez ishin ata që realizuan, ndërsa Siti ka 16 pikë, vetëm dy më pak se kreu.
Një moment tepër emocionues ndodhi në “Old Traford”, ku u kthye për herë të parë që pas sëmundjes, ish-trajneri i Mançester Junajtidit, Sër Aleks Ferguson. Brohoritja për të ishte madhështore, por kryesisht nga tifozët, pasi skuadra në fushë zhgënjeu përsëri.
Të besuarit e Zhoze Murinjos e futën edhe një herë veten në krizë me barazimin shtëpiak ndaj Uolvesit. Fred kaloi “djajtë e kuq” në epërsi në 18’, por ishte një portugez që i prishi punë patriotit të tij. Zhoao Mutinjo barazoi në pjesën e dytë, ndërsa Junajtidi mbeti plot 8 pikë prapa kreut, kur kanë kaluar vetëm 6 ndeshje nga kampionati.
Sfidanti.al