Pritja përfundoi, Liverpuli është kampion i Anglisë pas plot 30 vjetësh!

Një pjesë e madhe e tifozëve as nuk e kishin idenë se çdo të thoshte kjo gjë. Më në fund e mësuan sesi mund të ndihesh kur skuadra jote e zemrës shpallet kampione. Për ata që e kanë ditur, por që ndoshta e kishin harruar, ishte si një zgjim nga një ëndërr e keqe. Ja pra, pritja më në fund përfundoi dhe Liverpuli me të vërtetë u shpall kampion i Anglisë pas 30 vjetësh. Dita do të vinte, por ajo e duhura ishte kjo mbrëmje, nata mes të enjtes dhe të premtes, 25 qershor 2020, më shumë se 30 “pranvera” që nga maji 1990 kur brezi i Xhon Barnsit, Xhon Olldrixhit, Ian Rashit e Keni Dalglishit triumfonte për herë të fundit.

U desh humbja e Mançester Sitit në fushën e Çelsit (në fakt, mjaftonte të mos vinte fitorja) që diferenca të mbetej 23 pikë, kur në lojë janë edhe 21. Pep Guardiola nuk deshi t’i bënte ndonjë dhuratë, por gjithsesi, nuk kishte ndonjë dëshpërim të madh që Liverpuli ta fitonte titullin. Ai nuk është një “djall i kuq” i Mançester Junajtidit. Sidoqoftë, trajneri i Sitit, nuk bëri ndonjë rotacion shumë të madh në “Stemford Brixh”, duke ulur në stol vetëm Gabriel Zhezusin e David Silvën, ndërsa Kun Aguero e Xhon Stouns janë ende të dëmtuar. Kristian Pulishiç kaloi Blutë në epërsi në 36’, Kevin De Brujn barazoi në 55’, por Fernandinjo doli me të kuqe në 77’ dhe Uillian me penallti realizoi për 2-1 në 78’. U deshën 7 minuta shtesë që të përfundonte pritja, por ajo ndodhi në orën 22:10 me kohën e Londrës, ose 23:10 sipas asaj të Tiranës.

Ky është titulli i 19-të i Liverpulit, vetëm 1 më pak sesa rekordi i Mançester Junajtidit. Sa për Çelsin, skuadra e Frenk Lampardit forcoi pozitat për kualifikim në Champions sezonin e ardhshëm, duke pasur 54 pikë, vetëm 1 më pak se Leisteri i vendit të tretë, dhe 5 mbi Mançester Junajtidin e Uolvesin, që e ndjekin.

Sfidanti.al