Presioni mbi Guardiolën, ndërsa Siti pret Junajtidin në derbi!

Ole Gunar Solskjer nuk bëri dredha, por i ra drejt. “Synimi ynë është që të arrijmë nivelin e tyre”, – tha trajneri i Mançester Junajtidit, duke i vendosur si objektiv djemve të tij të jenë në lartësinë e Mançester Sitit. Derbi i qytetit luhet sot në orën 18:30 në “Etihad”, me vendasit padyshim favoritë, por gjithçka është bërë më interesante pas fitores së merituar të “djajve të kuq” ndaj Totenhemit të Zhoze Murinjos.

“Siti vërtet ka shumë para, – tha Solskjeri, duke komentuar fjalët e trajnerëve paraardhës në “Old Traford”, – por, çfarë duhet të bëjmë ne? Të dorëzohemi pa luftuar? Jo! Ne duam të jemi në nivelin e Sitit”. Norvegjezi mbërriti në Angli si lojtar i Junajtidit, dhe në atë kohë Mançester Siti nuk ishte as në Premier Ligë! Në total, Junajtid ka bilanc më të mirë në kampionat, me 72 fitore e 53 humbje, madje në 5 ndeshjet e fundit në “Etihad” ka triumfuar 2 herë dhe ka humbur po 2 herë.

Guardiola, ndërkaq, është shprehur i habitur që Junajtid nuk ka arritur të rivalizojë për titull, që nga koha kur ai mbërriti në Premier Ligë. “Një surprizë e madhe që një skuadër e tillë nuk na ka rivalizuar, – tha trajneri i Sitit, – ne kemi qenë më të mirë këta vjet”.

Sfidanti.al