Konte mërzitet nga vërshëllimat dhe nga 0-0 i parë i sezonit!

Nuk kishte ndodhur kurrë që të mos shënonte, por gjithnjë ka një herë të parë. Nuk mund të quhet, pra, fundi i botës që Interi nuk realizoi gol ndaj Romës, diçka që ndodhi në ndeshjen numër 20. Gjithsesi, Antonio Kontes nuk i pëlqyen dy gjëra, që sulmuesit e tij nuk shfrytëzuan rastet, dhe që një pjesë e publikut vërshëlleu në “San Siro”.

Lautaro Martinez, Romelu Lukaku dhe Vesino patën mundësi për ta dërguar topin në rrjetë, por nuk ia dolën, ndërsa Roma realizoi atë që gazetat e quajtën “rrjeta e merimangës”, pra një lojë të fortë mbrojtëse. Dy lojtarët e qendrës, Smolling e Mansini, si dhe portieri Mirante ishin heronjtë.

“Kishim përballë një Romë shumë të fortë, – pranoi Konte, – portieri i saj ishte më i miri në fushë, ndërsa Handanoviç thuajse nuk pati fare punë. i komplimentoj lojtarët e mi, më vjen keq vetëm që nuk shënuam dot gol. Jam shumë i kënaqur me atë që kanë dhënë djemtë deri tani, ndonëse bëj thirrje të shtrëngojmë dhëmbët deri në fund të dhjetorit”. “Më vjen keq që disa tifozë na vërshëllyen, – shtoi trajneri, – skuadra po bën maksimumin, kemi nevojë për mbështetjen e tyre, sidomos për ndeshjen ndaj Barcelonës”. Interi ka 38 pikë ndaj 36 të Juventusit, që ka një ndeshje më pak.

Sfidanti.al