Disfata e Championsit ka lënë gjurmë, por duhet harruar sa më shpejt. Kështu shpreson të bëjë edhe Tirana, pasi kampionia e Shqipërisë do të luajë sot ndeshjen e parë në turin e dytë të Ligës së Konferencës. Rivali i radhës, në orën 20:00 në “Arenën Air Albania”, është skuadra e Zrinjskit të Mostarit nga Bosnjë-Hercegovina. Në themel, një ekip kroatësh, Zrinjski, pritet të jetë ndoshta pak më i lehtë sesa Dudelanzhi që e mundi ekipin bardheblu në Champions, por trajneri Shehi nuk pranon nënvleftësim, madje premton lëvizje. Ndryshimet kanë të bëjnë me Limajn që kthehet pas pezullimit, dhe me Totren e De Silvën që pritet të ulen në stol. Pjesa tjetër e ekipit nuk ndryshon dhe në sulm është Seferi në qendër, si dhe Xhixha e Hasani në krah të tij.
“Do të kemi përballë një ekip të fortë dhe me traditë që vitet e fundit ka ecur mirë në Europë, – tha Shehi, – do të përpiqemi të harrojmë humbjen me Dudelanzhin, por besoj se kemi mundësitë tona. Gjendja psikologjike është normale. Do të kemi ndryshime në krahasim me Dudelanzhin. Do ta shikoni kur ekipi të dalë në fushë se cilat do të jenë ndryshimet”.
Zrinjski gjithashtu u eliminua nga Championsi, por nga një ekip shumë më i fortë si Sherifi i Tiraspolit që vjet ishte në fazën e grupeve. Diferenca ishte e vogël dhe kualifikimi u vendos nga një gol, ndërsa trajneri Sergej Jakiroviç po e përgatit skuadrën e tij për një duel tepër të fortë në Shqipëri. “Është kampion i Shqipërisë dhe ka fituar 26 tituj. Kjo tregon se na pret një kundërshtar i fortë, për më tepër luan në shtëpinë e vet, – tha ai, – E ndoqëm ndeshjen e Tiranës me Dudelanzhin dhe duhet të pranojmë se Dudelanzhi pati shumë fat, pasi në pjesën e parë duhej të kishte humbur 3-0. Kemi punë me një ekip shumë të rrezikshëm kur ka topin në zotërim, dhe që sulmon shumë mirë nga krahët. Kam besim se do të luajmë siç duhet, me seriozitet, dhe shanset që do të krijojmë do t’i realizojmë”. Sipas parashikimeve, Zrinjski mund të cilësohet favorit edhe për ndeshjen e sotme, ndonëse rezultati më normal jepet barazimi.
Sfidanti.al