Prag Superkupa e Europës, Bajerni favorit ndaj “djemve të tmerrshëm” të Lopetegit!

Siç e thotë Hansi Flik, do të jenë përballë dy kampionë. Bajerni, fituesi i Championsit dhe Sevilja triumfuesja në Ligën e Europës, luajnë sonte në orën 21:00 finalen e Superkupës kontinentale, në stadiumin e Budapestit. Spanjollët dhe gjermanët kanë mbërritur në kryeqytetin e Hungarisë, duke hequr mendjen nga rreziku i koronavirusit dhe polemikat rreth rrezikshmërisë së tij, duke dashur që të përqëndrohen vetëm tek futbolli.

Kampionët e Europës janë padyshim favoritë, edhe pse asgjë nuk mund të jepet si e sigurt. Ata e konfirmuan formën e shkëlqyer të sezonit të kaluar duke e nisur me një fitore të madhe Bundesligën e re, 8-0 ndaj Shalkes. Bavarezët kanë probleme minimale, pasi vetëm Kingsli Koman mungon për shkak të karantinës. David Alaba është rikuperuar nga dëmtimi, ndërsa konfirmohet se Levandovsi është mirë fizikisht dhe mund të luajë. Edhe Havi Martinez, që mendohej të largohej nga Bajerni, ka udhëtuar dhe është alternativë.

“Do të jenë përballë dy ekipe kampionë, – tha Fliku, – nëse do të japim 99 për qind nuk do të jetë e mjaftueshme ndaj Seviljes, madje nuk kemi siguri as me 100 për qind. Sevilja e fitoi me meritë Ligën e Europës dhe tregon pjekuri të madhe në fushë, kjo për meritë të trajnerit Lopetegi. Shpresoj të jetë një finale e bukur, e sigurt që do të jetë një ndeshje e një niveli shumë të lartë”.

Sevilja po ashtu nuk ka shqetësime. Dy ndeshjet në Spanjë u shtynë që ekipi të ketë më shumë kohë për Superkupën, dhe trajneri Lopetegi e ka të gjithë skuadrën në dispozicion. De Jong, Okampos e Suso duhet të luajnë në sulm, ndërsa Rakitiç, i ardhur nga Barcelona, po ashtu parashikohet titullar në mesfushë.

“Një skuadër e tillë si ky Bajern ka kohë që nuk është shfaqur në Europë, – ishte vlerësimi i teknikut spanjoll, – trajneri Flik ka një meritë të madhe për krijimin e kësaj skuadre, duke i dhënë një identitet të fortë, që e di shumë mirë sesi të qarkullojë topin, si të sulmojë e si të mbrohet. Gjithsesi, ne do të hyjmë në ndeshje me besimin për t’ia dalë. Do të duhet të jemi në maksimumin fizik dhe psikologjik”.

Spanjollët kanë rekordin e fitoreve në Ligën e Europës, të cilën e kanë marrë gjashtë herë, siç ndodhi edhe në finalen ndaj Interit të Milanos. Sevilja e ka fituar një herë edhe Superkupën, por më së shumti ka humbur, plot 4 finale, por gjithsesi mbetet sërish me shpresë.

Sfidanti.al