Gjoka përballë Murinjos, Shkëndija e Tetovës provon fatin me Totenhemin!

Një sfidë nga ato për të mos u harruar. Shkëndija e Tetovës do të ketë sonte në orën 20:00 ndeshjen e radhës në Ligën e Europës, atë ndaj Totenhemit në Shkup, që, siç thotë trajneri Ernest Gjoka, do ta luajë për t’u kënaqur, por edhe për të pasur sukses. Pas përvojës ndaj Milanit në Itali, ekipi anglez është gjigandi tjetër europian që vihet përballë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Gjoka nuk dëshiron të kënaqet thjesht me faktin se do të ketë rast të takojë Zhoze Murinjon.

“Është kënaqësi të ndeshesh me një trajner të famshëm si Murinjo, tha ai, – por, ne do të përpiqemi të luajmë për veten tonë. Diferenca ekziston, por në futboll asnjëherë nuk i dihet. Mund të ketë të papritura. Le të shfrytëzojmë rastet tona dhe të luajmë deri në fund”.

Për sfidën e sotme, Gjoka nuk ka shumë shqetësime. Mungesë do të jetë vetëm mbrojtësi Armend Alimi në mbrojtje, që është i pezulluar dhe është një minus i madh. Besart Ibraimi mund të cilësohet si lojtari më i rëndësishëm i Shkëndisë edhe këtë sezon, me dy gola në Ligën e Europës. Po ashtu, sulmuesi ka realizuar 5 gola në ligën maqedonase, dy prej të cilëve fundjavën e kaluar, ndërsa Shkëndija ka dalë në krye të renditjes.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut vijnë me moral të lartë pas fitores 2-1 ndaj Akademisë Pandev në Ligën e Parë, ku dolën në krye të renditjes me 14 pikë në 6 javë. Siç e ka pasur traditë këta vjet, Shkëndija i kaloi dy ture eleminatore , fillimisht duke fituar në Azerbajxhan 2-0 ndaj Sumgajitit vendas. Më pas, në raundin e dytë me suksesin 1-0 sërish jashtë fushe, në Rumani ndaj Botoshanit.

Totenhemi gjithashtu vjen me moral të mirë në ndeshje sepse fitoi 5-2 në fushën e Sauthemptonit në Premier Ligë. Sidoqoftë, trajneri Zhoze Murinjo u tregua i kujdesshëm në konferencën për shtyp, sidomos pasi u ndodh në prag të eleminimit në turin e dytë ndaj Lokomotivës së Plovdivit në Bullgar. “Kam marrë informacion për kundërshtarin nga disa burime në Maqedoni, – tha portugezi, – e kam shumë të qartë se garat në Ballkan janë të vështira, siç e kuptuam në raundin e kaluar kur luajtëm në Bullgari. Gjithsesi, ne jemi të gatshëm, jam i qartë se çfarë ekipi do të kem përballë, dhe synojmë kualifikimin”.

Londineztë pritet të kenë ndryshime në formacion. Xho Hart mund të jetë në portë, e Serzh Orie në mbrojtje për ndeshjen e parë të sezonit.  Nuk dihet se çdo të ndodhë me Dele Alin, i cili edhe mund të largohet, dhe për të cilin Murinjo nuk është i kënaqur. Mbrojtësi Regilon i ardhur nga Reali nuk është përfshirë në skuadër, ndërsa Ndombele e Lo Selso nuk janë në formën maksimale. Në fushë besohet se mund të jetë Harri Kejni, por koreanojugori Son dhe Lukas Moura pritet të lihen pushim për t’u ruajtur për në Premier Ligë. Totenhemi jepet favorit në mënyrë absolute për të kaluar turin.

Sfidanti.al