Rrallë u ka shkuar kot një rrugë e tillë. Reali i Madridit, i nënvleftësuar dhe i kritikuar për muaj me radhë, ja ku është sërish në gjysmëfinale të Championsit, aty ku nuk besohej që të ishte, por pikërisht aty ku e ka vendin. Pas mrekullive ndaj Paris SG dhe Çelsit, skuadra e trajnerit Karlo Ançeloti do të ketë sërish një sfidë të vështirë, atë ndaj Mançester Sitit. Anglezët jepen favoritë, por me gjasë kjo nuk i shqetëson aspak spanjollët që janë mësuar me parashikime të tilla. Ançeloti uron vetëm që të ketë sa më pak mungesa, me Kasemiron dhe Alabën në dyshim, sidomos i pari. Gjithsesi, mbrojtësi Mendi është mirë dhe do të luajë. Tekniku italian bën ironi me parashikimet në konferencën për shtyp.
“Në gjysmëfinale të Championsit janë dy ekipe që nuk priteshin, – tha ai, – Vijarreali dhe Madridi. Kishte shumë dyshime nëse ne do të ishim në gjendje të konkurronim në Europë. Gjatë rrugës patëm rivalë shumë të fortë (PSG, Çelsi), por ia dolëm. Kemi luftuar fort, dhe do të vazhdojmë të luftojmë fort që të kualifikohemi. Në çdo rast, mendoj se për Realin një sezon në Europë mund të quhet sukses vetëm nëse arrin finalen”.
Mançester Siti po ashtu ka besim, ndërsa dy sezone më parë e eliminoi Realin në raundin e dytë të Championsit. Skuadra e trajnerit Pep Guardiola është në krye të kampionatit dhe cilësohet favorite për titullin dhe për Europën, ndërsa në çerekfinale kaloi provën e vështirë ndaj Atletikos së Madridit. Në “Etihad” mungon mbrojtësi Kanselo, ndërsa Uolker e Stouns janë në dyshim, por mund të luajnë. “Është një gjysmëfinale, – thotë Pepi, – një konkurrim tjetër në krahasim me Premier Ligën. Është një nder të jesh në gjysmëfinale përballë ekipeve si Reali, Bajerni, Liverpuli. Reali ka qenë shpesh këtu, ndërsa ne po mësohemi që të jemi. Synojmë të zhvillojmë dy ndeshje sa më të mira, këtë në Angli dhe tjetrën në Madrid. Çdo skuadër luan për të fituar dhe ne do të luftojmë për të shkuar në finale”. Siti dhe Reali janë ndeshur 6 herë me njëri-tjetrin, duke pasur çdo ekip nga 2 fitore e dy barazime, si dhe nga një kualifikim për secilin.
Sfidanti.al