Prag Shqipëri-Itali, stadiumi plot dhe Reja që nuk bën eksperimente!

Për herë të fundit kishte ndodhur një vit më parë. “Arena Air Albania” ishte e mbushur me 100 për qind të kapacitetit të saj në 12 nëntor 2021, ndërsa Shqipëria priste Poloninë në eliminatoret e Kupës së Botës, e diçka e tillë u përsërit. Biletat janë shitur plotësisht për miqësoren e sotme me Italinë sërish në Arenë sonte në 20:45, të paktën për pjesën e tifozëve shqiptarë, ndërsa kanë mbetur fare pak në zonën e atyre miq. Pra në stadium pritet të jenë rreth 22 000 spektatorë, me kërshërinë për të parë kombëtaren e Italisë për herë të parë në Tiranë. Përballja e kaluar, ajo e vitit 2017 për eliminatoret e Botërorit u zhvillua në “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Lidhur me ndeshjen, Edi Reja e ka të qartë formacionin. Ndryshimet në formacion janë të ndjeshme dhe të detyruara, por gjithsesi trajneri kuqezi nuk dëshiron të bëjë eksperimente, të paktën në fillim. Për këtë arsye, titullarë janë Berisha në portë, Ismajli e Kumbulla në mbrojtje, Hysaj e Lenjani në krahë apo Abrashi, Bare dhe Bajrami në qendër. Broja ia ka dalë të riaftësohet fizikisht pas problemve muskulore, dhe do të shoqërojë Uzunin në repartin e sulmit.

Gjithsesi, mungesat janë të shumta si Gjimshiti, Balliu, Strakosha, Manaj, Çekiçi, Cikalleshi, Seferi apo së fundmi edhe Abazaj. Nga ana tjetër, ekipi kuqezi u plotësua vetëm dje në mbrëmje, kur me grupin u bashkuan gjashtë futbollistë, Hysaj, Bare, Uzuni, Laçi, Roshi dhe Muçolli.

Formacioni i mundshëm (3-5-2): Berisha, Ismajli, Kumbulla, Mihaj, Hysaj, Abrashi, Bare, Bajrami, Lenjani, Broja, Uzuni.

Sfidanti.al