Përballja në Angli ishte një spektakël. Kështu ndodh kur përballë janë ekipe si Mançester Siti dhe Reali i Madridit, veçse sonte në orën 21:00 në “Santiago Bernabeu” vlen më shumë kualifikimi. Pasi Liverpuli ia doli të martën, do të përcaktohet finalisti i dytë i Championsit. Përgjegjësia është e madhe, por për fatin e tifozëve të dy ekipet kanë një sëmundje, atë që nuk dinë të luajnë në mbrojtje, pra mbrëmja pritet të jetë sërish spektakolare. E përditshmja madrilene “AS” titullon: Magjia e bardhë, me foton e magjistarit Ançeloti dhe yjeve të tij si Benzema, Modriç, Vinisius apo Kurtua! “Atmosferë e nxehtë, – shkruan “Marka”, – sot luhet! Madridi ka nevojë për magjinë e netëve europiane në “Bernabeu” për të arritur finalen!”
Alaba nuk luan për Realin, po ashtu Isko, Hazard he Bejl, por Reali ka të tjerë. Benzema, Vinisius, Kros dhe Mendi u lanë në stol në fundjavë në kampionat, pra janë të shlodhur. “Ekipi është mirë, është gati dhe i motivuar, – tha trajneri Ançeloti, – kemi një objektiv për të arritur, një mundësi e madhe për të luajtur një tjetër finale. i dimë vështirësitë, por i dimë edhe mundësitë tona. Çështja e kualifikimit është e hapur për të dyja skuadrat, por pas fitores së titullit dhe me ndihmën e “Bernabeut” mund t’ia dalim. Dy ekipet të mëdhenj. Ne kemi zemër të madhe, por duhet çdo cilësi e mundshme për t’ia dalë”.
Lajmet janë të mira për Pep Guardiolën. Kanselo kthehet në ekip nga pezullimi, ndërsa Uolker ka shpresë të luajë pavarësisht dëmtimit, por Stouns mungon. De Brujne, Bernardo Silva dhe Mahrez pushuan në fundjavë. “Mendoj se do të jenë përballë dy ekipe shumë të mira, – tha Pepi, – ne e pamë një javë më parë. Ata janë kampionë të Spanjës, ne po përpiqemi të jemi kampionë të Anglisë. Duhet të japim maksimumin, pasi vetëm kështu kemi shanse më të mira për në finale. Duam të jemi në finalen e dytë radhazi, ky është objektivi ynë, por ndeshja do të ketë momentet e veta, mund të vendosin episodet”. Siti vazhdon të jetë favorit për një tjetër finale angleze.
Sfidanti.al