Cilësohet një finale e vërtetë. Nuk mund të jetë ndryshe një Real Madrid-Mançester Siti, në një mbrëmje të madhe në “Santiago Bernabeu”, që nis në orën 21:00. Është gjysmëfinalja e parë e Championsit dhe spektakli pritet i garantuar, mes kampionëve të Europës në fuqi dhe asaj që cilësohet si skuadra më e mirë e kontinentit. Reali është përgatitur i qetë, edhe pse e di se nuk cilësohet favorit, ndonëse kështu ishte edhe vjet kur fitoi trofeun. Lajm i mirë është kthimi i Luka Modriçit, ndërsa në dyshim është Mendi, me Sebajosin që nuk luan. Yjet si Benzema, Vinisius apo Rodrigo janë gati. Reali vjen në këtë duel pasi fitoi Kupën e Mbretit në Spanjë.
Mançester Siti jo rastësisht cilësohet ekipi më i fortë i Europës. Të besuarit e trajnerit Pep Guardiola janë pranë fitores së titullit në Premier Ligë, dhe duken në formë shumë të mirë. Mungon mbrojtësi Ejk, por mund të luajë Uolker për të mbajtur Vinisiusin, ndërsa shumë nga yjet pushuan në kampionat për të qenë gati. Dy skuadrat janë kualifikuar nga një herë përballë njëra-tjetrës, në dy sezonet e fundit në Champions.
Sfidanti.al