Prag Real-Atletiko, për kampionët e Spanjës vlen vetëm fitorja!

Në kushte të tjera, edhe një barazim ndaj rivalit qytetës nuk do të ishte për t’u hedhur poshtë, veçse këtë herë është ndryshe. Reali i Madridit është prapa në renditjen e La Ligës pavarësisht fitores në fushën e Seviljes, ndaj edhe 1 pikë nuk mjafton. Atletiko ka 26 pikë në krye të renditjes me 10 ndeshje të luajtura, ndërsa Reali ka 20 me 11 takime. Sesa e fortë është skuadra e trajnerit Simeone, kjo duket nga fakti se nuk ka asnjë humbje (8 fitore, 2 barazime), se ka shënuar 21 gola dhe ka pësuar vetëm 2.

“Atletiko është favorite për titullin, – thotë Zidan, – ndonëse ne do të luftojmë deri në fund”. Problemi kryesor për ekipin e trajnerit francez mbetet mungesa e vazhdimësisë, herë luan mirë dhe fiton, herë “shuhet” dhe mundet. Gjithsesi, dy fitore radhazi në La Liga dhe në Champions kanë dhënë besim për duelin e sotëm në orën 21:00 në stadiumin e vogël “Alfredo Di Stefano”.

Formacionet e mundshëm.

Reali: Kurtua, Karvahal, Varan, Ramos, Mendi, Modriç, Kasemiro, Kros, Lukas Vaskez, Vinisius, Benzema. Tr. Zidan

Atletiko: Oblak, Saviç, Felipe, Hermoso, Jorente, Tripier, Koke, Saul, Karrasko, Suarez, Zhoao Feliks. Tr. Simeone

Sfidanti.al