Fjala e palejueshme është “humbja”. Kombëtarja shqiptare do të zbresë sot në fushën e Stadiumit Kombëtar të Varshavës për rezultat pozitiv ndaj Polonisë vendase në ndeshjen eleminatore të Kupës së Botës. Në orën 20:45 luhet sfida e parë nga 3 gjithsej këtë muaj, dhe siç thuhet, duhet nisur me këmbën e mbarë. Trajneri Edi Reja duket se ka të qartë formacionin, sipas skemës së tij të përhershme, 3-5-2, me Berishën në portë dhe treshen fikse në mbrojtje Ismajli-Kumbulla-Gjimshiti. Në mesfushë janë lojtarët e krahëve, Hysaj e Trashi, ndërsa në qendër Bare, Gjasula e Abrashi, në mbështetje të sulmit që pritet të përbëhet nga Cikalleshi e Manaj.
Seanca e fundit stërvitore pikërisht në stadiumin ku do të luhet sonte, shërbeu për të hequr edhe dyshimet e mbetura. Për fat, të gjithë lojtarët e formacionit janë të dalluar në klubet e tyre, me përjashtim të Berishës e Kumbullës që janë rezervë. Gjithsesi duhet kujdes sepse 7 lojtarë kuqezinj humbasin ndeshjen e radhës me Hungarinë nëse marrin karton të verdhë.
Përballë Shqipërisë një ekip i fortë si Polonia, që udhëhiqet nga Robert Levandovski, autor i 69 golave në 122 ndeshje. Gjithsesi, polakët kanë vetëm 1 fitore në 10 ndeshjet e fundit, dhe kanë shumë mungesa si Zielinski, Piontek, Kapustka apo Klih. Shqipëria ka 6 pikë në 3 ndeshje në grupin tonë eleminator, ndërsa Polonia ka 4.
Formacioni i mundshëm (3-5-2): Berisha, Ismajli, Kumbulla, Gjimshiti, Hysaj, Bare, Gjasula, Abrashi, Trashi, Cikalleshi, Manaj.
Sfidanti.al