Kjo ditë pritej, por sërish jehona është e jashtëzakonshme. Gjithçka e merituar për Kristiano Ronaldon që theu rekordin e golave të ekipeve kombëtare duke lënë prapa sulmuesin e famshëm iranian, Ali Daei. Superylli portugez arriti në 111 rrjeta pasi shënoi dy herë në sekondat e fundit ndaj Irlandës në eleminatoret e Botërorit. Daei ishte ndalur në 109, rekord që më parë e ndante me Kristianon. Ndeshje e vështirë me CR7 që humbi penallti, por shpërblimi erdhi.
“Jam shumë i lumtur, – tha legjenda, – jo vetëm për rekordin, por edhe për momentin e veçantë që kishim. Dy gola në fund të ndeshjes. Ishte shumë e vështirë, por duhet të vlerësojmë karakterin e skuadrës, po ashtu tifozët. Humba penalltinë, por kjo është pjesë e lojës. Unë besova deri në fund ndaj jam i gëzuar që shënova dhe që fituam”.
Gjithsesi, rekordet nuk mund të shihen vetëm nga numri i golave, por edhe nga numri i ndeshjeve dhe epokës kur ke qenë në fushë. Plot 24 nga këta gola janë shënuar ose ndaj ekipeve si Andorra apo Ishujt Faroe që dikur nuk ekzistonin, ose kundër skuadrave të dala nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, Jugosllavisë apo Çekosllovakisë, që padyshim janë shumë më të dobëta sesa përfaqësueset e dikurshme. Të tillë si Letoni, Lituani, Estoni, Armeni, Azerbajxhan, Kazakistan, Sllovaki, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi. Në këtë aspekt, Ronaldo është prapa yjeve si Gerd Myler apo Ferenc Pushkash.
Sfidanti.al