Prag Liga e Konferencës: Laçi, Vllaznia e Tirana duan kualifikimin!

Që nga ora 19:30 e deri në 21:00 kanë provat e së vërtetës. Tre skuadra shqiptare do të synojnë sot kualifikimin për në turin e tretë të Ligës së Konferencës, ndonëse vetëm njëra prej tyre ka vërtet shanse më të mira për t’ia dalë. Laçi do të presë në “Elbasan Arenë” Petrokubin e Moldavisë dhe barazimi 0-0 në ndeshjen e parë jashtë fushe e bën favorit për kalimin e raundit. Sfida luhet me nisje në orën 20:00, por kurbinasit do të kenë mungesën e rëndësishme të Spahiut, pasi mesfushori u përjashtua me karton të kuq në Moldavi. Po ashtu, problemet në mesfushë janë të mëdha për shkak se më parë janë larguar dy futbollistë. Trajneri Shpëtim Duro ka kërkuar që Laçi të jetë shumë i kujdesshëm sepse Petrokubi është i rrezikshëm në kundërsulm.

Vllaznia do të jetë e para që do të zbresë në fushë nga skuadrat tona. Shkodranët luajnë në Krajovë të Rumanisë ndaj Universitateas vendase, dhe detyra nuk do të jetë shumë e lehtë. Ndeshja e javës së kaluar në stadiumin “Loro Boriçi” përfundoi 1-1 pra rumunët cilësohen favoritë. Për më tepër, ekipi i trajnerit Josa pati udhëtim të gjatë e të lodhshëm prej 18 orësh dhe kjo gjë mund të ndikojë, ndonëse kanë shkuar në Rumani që ditën e martë. Së fundi, në orën 21:00, Tirana do të luajë në Bosnjë-Hercegovinë duke qenë në pozitat më të vështira nga të treja ekipet tona. Kampionët e Shqipërisë u mundën 1-0 në “Arenën Air Albania” ndaj Zrinjskit, ndaj edhe kanë detyrë të përmbysin rezultatin. Kryeqytetasit nuk kanë mundur të paraqiten mirë në Europë këtë verë, duke pësuar 3 humbje, dy nga të cilat në Champions. Shpresohet që fitorja e parë të mbërrijë pikërisht në stadiumin e Mostarit.

Sfidanti.al