Prag Islandë-Shqipëri, a do të dalim më në fund “gjallë” nga Rejkjaviku?!

Përpara 6 vjetësh ishim në kulm. Shqipëria dhe Islanda u kualifikuan atëherë për në finalet e Euro 2016-ës, duke lënë shenjën me rezultatet e tyre, ndërsa sot do të kenë një përballje që nuk e patën në Francë. Kombëtarja shqiptare nis edicionin e ri të Ligës së Kombeve në Rejkjavik, aty ku u mund pak vjet më parë në eliminatoret e Europianit 2020. Nëse tre vjet më parë luajtëm mirë, por dolëm të humbur minimalisht 0-1, këtë herë kërkohet rezultat. Gjithsesi, tradita në kryeqytetin më të largët të kontinentit nuk na ndihmon. Në 1990, përtej skandalit në Londër, lojtarët kuqezinj zbuluan se ka vende në botë ku njerëzit protestojnë, madje edhe pa rroba. Atë ditë, Islanda na mundi 2-0, ashtu siç na ka mposhtur gjithmonë në fushën e saj, 2-1 në shtator të vitit 2013 në eliminatoret e Kupës së Botës, dhe 0-1 në Europian në 2019.

Sukseset e vetme ndaj nordikëve i kemi arritur vetëm në Tiranë, por shpresohet që këtë herë të jetë ndryshe. Trajneri Edi Reja ka mungesa si Brojën, Uzunin, Baren dhe Laçin, por gjithsesi mbetet me shpresë. Në formacion gjithçka është e përcaktuar me përjashtim të një pozicioni në mesfushë, ku tekniku italian mund të aktivizojë Bajramin në vend të Çekiçit. Të tjerët janë të ditur si Berisha në portë, Ismajli, Kumbulla e Gjimshiti në mbrojtje, Balliu e Hysaj në krahë dhe Cikalleshi e Seferi në sulm. Shqipëria luan sot ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve, ndërsa në 10 qershor pret Izraelin në “Arenën Air Albania”.

Sfidanti.al