Prag Inter-Milan, kush është favorit i derbit të Kupës së Italisë?

Do të ketë një tjetër përballje të madhe në “San Siro”, por shpresa është që të jetë më e bukur sesa gjysmëfinalja e parë, që përfundoi jo vetëm pa gola, por edhe pa lojë. Interi e Milani dalin këtë të martë (nesër) në tapetin më të njohur në Itali për sfidën vendimtare që përcakton finalisten e Kupës, dhe zikaltërit do ta kenë që në fillim një avantazh, tifozët. Shumica e 75 000 spektatorëve në “San Siro” do të jetë me Interin! Po forma e skuadrave si duket? Të dyja vijnë në derbi pas fitoreve në Serinë A. Të besuarit e trajnerit Simone Inzagi është më mirë fizikisht dhe ata që ishin në dyshim, De Vraj e Bastoni, e kanë marrë veten. Perishiç është në formë të madhe, ashtu si Brozoviç, Xheko është i përhershmi, Lautaro u kthye te goli, ndërsa Aleksis Sançez e Korrea duan minuta në sulm. Tek Interi shënojnë të gjithë, deri tani janë 17 në Serinë A. Po Milani? Romanjoli e Florenci kanë dëmtime, Ibrahimoviç nuk luan, por Kalabria është kthyer. Shpresa është Zhiru, por edhe Leao.

Sfidanti.al