Prag, Inter-Juventus: Pritet “zjarr” në “San Siron” me 60 000 spektatorë!

Dita e Derbit të Italisë erdhi përsëri. Më saktë, mbrëmja sepse sfida e madhe Inter-Juventus luhet sot në 20:45 në “San Siro”, ku pritet të jenë mbi 57 000 spektatorë. Përtej fitimit të 5 milionë eurove nga klubi milanez, tifozët e të dyja skuadrave duan fitoren në fushë. Interi është kampion në fuqi dhe ka fituar sezonin e kaluar kur shkurorëzoi Juven, por piemontezët kanë qenë vazhdimisht të fortë e shpesh kanë triumfuar. Zikaltërit janë në moment të mirë me dëmtimet, Çalhanoglu është kthyer në stërvitje të enjten, pritet të jetë në ekip edhe mesfushori Sensi.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme, – thotë trajneri Inzagi, – dhe vlen më shumë se tri pikët. E dimë se çfarë do të thotë kjo ndeshje dhe duam që të bëjmë një paraqitje të madhe për të marrë fitoren. E kemi analizuar atë që ndodhi me Lacion në Romë dhe jemi të qartë se nuk duhet t’i bëjmë më ato gabime”.

Lajmet e mira për “Zonjën e Vjetër” janë që Dibala kthehet në ekip e pritet të luajë ndonëse jo nga fillimi, por ashtu mbrojtësi holandez, De Ligt. Morata gjithashtu është gati dhe mund të jetë titullar me Kiezën. “Inter-Juventus do të jetë një mbrëmje shumë e bukur, – thotë Alegri, – sidomos sepse në “San Siro” mund të jenë rreth 60 000 spektatorë. Pra, emocionet do të jenë shumë të mëdha. Besoj se do të dalë një ndeshje e madhe mes dy ekipeve të shquara. Interi, sipas meje, është ende favorit për të fituar titullin”.

“Le të dalë jashtë e vërteta, – është pritshmëria e “La Gazeta delo Sportit”, – Interi luan për shkëputje nga rivali, Juvja për ta mbërritur!” “Il Korriere delo Sport” përmend dy sfidat e Serisë A, Inter-Juve, por edhe Roma-Napoli dhe i bën jehonë polemikave të trajnerëve!” Interi ka 17 pikë në renditje, dhe Juventusi 14, ndërsa rreziku është që rivalët për titull mund të shkëputen.

Sfidanti.al