Një udhëtim i tillë mbetet gjithmonë i veçantë. Edhe pse Reali i Madridit e ka kryer 16 herë këtë itinerar sërish pragu i një finaleje Championsi s’ka të krahasuar me asgjë tjetër. E pakrahasueshme edhe kjo e sotmja ndaj Liverpulit në “Stad dë Frans” të Parisit, me nisje në orën 21:00. Gjigandët spanjollë nuk jepen favoritë, por një ekip që ka dalë 13 herë kampion i Europës nuk ka nevojë për parashikime. Mjafton të thuash Real dhe ke thënë Champions, diçka që e dinë yjet madrilenë që nga portieri Kurtua e deri te Karim Benzema. Problem për Madridin është mbrojtësi Alaba që sapo është kthyer nga dëmtimi, ndërsa trajneri Karlo Ançeloti duhet të zgjedhë mes Kasemiros e Kamavingës, apo Rodrigos e Valverdes.
“E përjetoj në mënyrë të natyrshme këtë finale, – u shpreh italiani, – e dimë se çfarë rëndësie ka kjo ndeshje për ne dhe për historinë e klubit. Në këtë sezon kemi arritur suksese deri tani, ka qenë një vit shumë i mirë nga ana jonë, dhe synojmë ta fitojmë edhe këtë trofe për të arritur maksimumin. Kryesorja është që të jemi të qetë, me besim dhe me harmoni për të arritur fitoren”.
Edhe Liverpuli mbërriti në Paris me besim. Për një ekip anglez është e pamundur të ketë 13 trofe si Reali, e tillë konkurrenca në Premier Ligë, por gjithsesi 6 tituj në Champions nuk janë aspak gjë e vogël. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop arrin në finale pasi humbi në 2018 ndaj Realit e pasi fitoi në 2019 kundër Totenhemit. Jo më kot, Liverpuli është ekipi i fundit që i ka shkaktuar humbje madrilenëve në një finale Championsi, dhe pikërisht në Paris në 1981. Trajneri Jurgen Klop ka lajme të mira se Fabinjo e Tiago Alkantara janë gati, ashtu si Salah e Van Dajk.
“Reali është një ekip me histori të madhe, me 13 trofe në Champions, – tha gjermani, – kjo histori nuk mund të blihet. Gjithsesi, ne e ndjejmë veten gjithashtu me eksperiencë. Kjo është finalja jonë e tretë në 5 vjet, diçka e veçantë. Megjithatë, gjëja e vetme e rëndësishme për ne është si të përgatisim finalen dhe si ta luajmë atë. Nuk shpenzojmë asnjë sekondë për menduar se çfarë mund të ndodhë”. Dy ekipet kanë luajtur 8 ndeshje në Europë, dhe gjithmonë në Champions, me 4 fitore të Realit, 3 të Liverpulit dhe një barazim.
Sfidanti.al