Është momenti i së vërtetës. Ose Bajerni, ose Paris SG do të duhet të eliminohet sot, pasi sfida e sotme në orën 21:00 në Mynih është për jetë a vdekje. Kampionia e Gjermanisë e ka fituar 1-0 duelin e parë në “Parkun e Princave”, por e di mirë se asgjë nuk është e garantuar, aq më tepër kur nuk ekziston më epërsia e golit në fushë kundërshtare. Bavarezët kanë probleme jo edhe aq të vogla me dëmtimet, sidomos në mbrojtje, pasi Pavar është i pezulluar dhe Lykas Hernandez i dëmtuar. Dihet që mungon portieri Nojer, njëkohësisht kapiteni, si dhe Mazraui gjithashtu mbrojtës. Të paktën, në sulm Bajerni është mjaft mirë, Sadio Mane u kthye nga dëmtimi, Myler, Sane dhe Musiala janë gjithashtu gati.
Paris SG udhëtoi drejt Mynihut dhe trajneri Kristof Galtie e di se do të duhet një mrekulli për kualifikimin. Një habi e vërtetë ishte pritja për Lionel Mesin në hotelin bavarez. Gjithsesi, ekipi francez ka mjaft telashe. Nejmar mbylli sezonin dhe mbrojtësi Kimpembe gjithashtu është jashtë, por të paktën Verrati dhe Renato Sançez janë riaftësuar. Pritet sesa mund të ndikojnë tek Ashraf Hakimi akuzat për përdhunim. Trajneri parizien e mbështet shumë shpresën tek Mbape.
“Ne duhet të luajmë futboll më të mirë sesa në ndeshjen e parë. Ne kemi një plan për ndeshjen, dhe po ashtu kemi Kilianin. Mbape na jep më shumë forcë në sulm. Po ashtu, ne duhet ta rikuperojmë topin shumë më shpejt. Championsi është një objektiv i madh. Ne kemi dëshirën dhe vendosmërinë për t’ia dalë për të shkuar sa më larg”. Bajerni jepet favorit për kualifikimin, por me Mbapenë titullar, PSG mund të bëjë gjithçka.
Sfidanti.al