Prag Bajern-Barcelona, Levandovski kthehet si kundërshtar në Mynih!

Nuk ka kaluar shumë kohë kur u nda me shokët. Ishte 19 korriku i këtij viti, ndërsa Robert Levandovski u dha lamtumirën futbollistëve të Bajernit, por ritakimi me ta nuk qe e thënë të priste gjatë. Legjenda polake i hipi avionit në aeroportin e Barcelonës, dhe fluturoi drejt Mynihut ku sonte do të dalë në stadiumin “Alianc Arenë” për herë të parë si kundërshtar. Vështirë të ketë emocione më të fuqishme sesa këto të superyllit 34-vjeçar që e pati Mynihu 8 vjet shtëpinë e tij, dhe që shënoi 344 gola me fanelën bavareze në vetëm 374 ndeshje. Vetëm një Gerd Myler mund të mburret atje në qiell se ka bërë të njëjtën gjë. Presioni padyshim që duhet të jetë i madh, ndonëse për fatin e katalanasve, Levandovski është përshtatur shpejt dhe shkëlqyeshëm, duke shënuar 9 gola në vetëm 6 ndeshje me fanelën e re.

“Ai është i qetë, – thotë trajneri Ksavi, – është ç’tensionuar, ai rrezaton qetësi dhe besim tek shokët e ekipit. Roberti është një lider natyral në ekipin tonë. E kuptoj se kjo do të jetë një ndeshje shumë e veçantë për të, por ai është i përqëndruar, i qetë dhe i motivuar. Ai është i shlodhur dhe kjo i bën mirë. Ne jemi në moment të mirë, edhe pse kjo mund të mos vlejë në ndeshje të tillë, sepse Bajerni është një rival i madh”.

Bajerni po përgatitet për të fituar, por padyshim që futbollistët e tij do tap resin me krahë hapur ish-gjahtarin e tyre të golave. Trajneri Julian Nagelsman, po po kalon kohë të vështira, bën shaka. “Natyrisht do të kisha menduar më shumë për të, nëse do të ishte ende me ne, – tha ai, – gjithsesi, unë po e pres me padurim takimin me të, jo si një kundërshtar që është shumë i rrezikshëm, por si një person me të cilin do të kem kënaqësi të madhe që të takohem. Shpresoj që edhe tifozët ta presin shumë mirë”.

Bajerni dhe Barcelona janë në atë që cilësohet Grupi i Vdekjes në Champions, bashkë me Interin, por e kanë nisur siç duhet. Gjermanët fituan në Milano pikërisht ndaj Interit 2-0, ndërsa katalanasit nuk e patën problem në fushën e tyre ndaj kampiones së Çekisë, Viktoria Plzen, duke fituar 5-1 madje me 3 gola të Robert Levandovskit.

Sfidanti.al