Nuk është fobia e 1996-ës, por kunjat nuk mund të mungonin. Ndërsa yjet e Gjermanisë mbërritën në bazën e tyre në Londër, për duelin e Europianit ndaj Anglisë, ata u tallën nga disa nxënës shkollash, që thirrën “kush jeni ju”. Gjithsesi, mund të jenë një shaka, ndërsa dy ekipet e mëdhenj bëhen gati për betejën e raundit të dytë, sot në 18:00.
Luhet për gjysmëfinalen, dhe në grupe Anglia pati dy fitore e një barazim, ndërsa Gjermania një fitore me Portugalinë, barazim me Hungarinë dhe humbje me Francën. Betejat kanë qenë shumë, por veçohen dy që u vendosën nga penalltitë. Në gjysmëfinale të Kupës së Botës në 1990, dhe në gjysmëfinalet e Kampionatit Europian 1996, me gjermanët që u kualifikuan dy herë.
Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, ka dyshime vetëm për Hofmanin e Klostermanin. “Është kënaqësi që luajmë në “Uembli”, – tha ai, – një ndeshje e madhe, elektrifikuese. Këto janë sfida për të cilat flitet vite me radhë. Nuk mendoj për lamtumirën time, por për emocionet ndaj Anglisë”. Sipas mediave gjermane, trajneri Lëv ka përcaktuar lojtarët që do të gjuajnë 5 penalltitë e para, nëse ndeshja shkon deri aty. Ata janë Toni Kros, Tomas Myler, Xhoshua Kimih, Leon Gorecka dhe Kai Haverc.
Ka shqetësime dhe kritika tek gjermanët për praninë e 45 000 tifozëve në “Uembli”, ndërsa Kovidi është rikthyer. Anglia ka dyshim vetëm dy lojtarët e kthyer nga izolimi, Maunt e Çiluell, ndërsa trajneri Sauthgejt mund të aplikojë mbrojtjen me 3. Një parashim autoritar ai i Zhoze Murinjos. Trajneri portugez deklaron se anglezët do të fitojnë 2-1, duke theksuar se trajneri Sauthgejt nuk e ka harruar eleminimin nga gjermanët në Euro 1996 dhe humbjen e penalltisë.
“Nuk ka rëndësi se çfarë ndodhi me mua atëherë, – thotë trajneri anglez, – unë nuk mund ta fitoj dot këtë ndeshje, mund ta fitojnë lojtarët. Le të përqëndrohemi tek sfida, që duhet ta luajmë siç duhet. Ndodh që ke 30 vjet pa fituar me një rival dhe ia del”.
Mediat gjermane janë euforike. Tabloidi “Ekspres” titullon: Sot jemi ne luanët! Shiko Angli, tre luanët tuaj ne i kemi qepur në fanelë! Tabloidi tjetër “Bild” komenton për një plan sekret të Lëvit për penalltitë, por që tani duket se nuk është edhe aq sekret.
Edhe të përditshmet angleze nuk mbeten më prapa. “Deili Meil”: Koha për heronj! Kejn gati të ulërasë, ndërsa Sauthgejt nxit Anglinë të kapë momentin! Është koha për ekstazën angleze! Ja edhe “Metro Sport”: Kjo është koha jonë! Sauthgejt thotë se barrierat ekzistojnë që të shemben! Në shtojcën Eurozonë, gazeta shkruan se duhet luajtur pa frikë nga historia! Anglia jepet favorite me kuotën 2.5, Gjermania ka koeficientin 2.9.
Sfidanti.al