Portierët bëjnë diferencën në La Liga, Reali mbetet prapa

Është vetëm fillimi dhe nuk ka asnjë problem nëse ke 10 pikë ndaj 12 të rivalit kryesor. Në këtë pozicion është Reali i Madridit pas barazimit 1-1 në fushën e Bilbaos, dhe fitores 2-1 të Barcelonës në stadiumin e Real Sociedadit. Madrilenët luajtën mjaft mirë, sidomos në sulm, e mbajtën shumë topin, por nuk ia dolën në Vendet Baske për dy arsye kryesore, së pari për shkak të karakterit të Atletikut vendas, dhe së dyti për meritë të portierit Unai Simon, që bëri të paktën 4 pritje shpëtimtare. Pritje bëri edhe Kurtua për Madridin, por më pak. Muniain kaloi baskët në epërsi në 32’, Isko barazoi në 64’.

Barcelona, për fat, portierin vendimtar e pati në portën e vet. Ter Shtegen bëri të paktën dy pritje të mëdha dhe katalanasit kaluan me fat gjithashtu në Vendet Baske, në San Sebastian. Fillimisht, Sociedadit kaloi përpara me rrjetën e shënuar nga Aritz Elustondo në 12’, dhe u desh shumë që të realizohej përmbysja. Trajneri Valverde futi pas pushimit në fushë Kutinjon, që u tregua një lojtar i madh, pikërisht atëherë kur duhej, me Mesin jo edhe aq në formë. Suarez dhe Dembele realizuan për kampionët, por edhe me “bashkëpunimin” e portierit vendas, Ruji.

Sfidanti.al