Po mrekullojnë Barcelona e Mesi? Natyrisht, president është Laporta

Nuk është ende në vend të parë, madje as nuk arriti ta shkurtonte diferencën prej 4 pikësh me Atletikon, por mënyra sesi fitoi në fushën e Sociedadit ishte e tillë që po tregon se në “Kamp Nou” po kthehet Epoka e vitit 2005. Atëherë, me Ronaldinjon e Dekon, dhe me Frenk Rajkardin në stol, Barcelona fitoi në La Liga që as nuk shpresohej dhe pastaj fitoi Championsin sezonin pasardhës, ndërsa tani duket se i është vënë pas “me bukë në trastë” ekipit të Diego Pablo Simeones.

Fitore 6-1 në “Anoeta” që i bëri edhe të përditshmet e Madridit që të thurnin lavde për katalanasit. “Barcelona shkakton sërish frikë”, – titulloi “AS”. “Barcelona u kthye ajo e kohëve të dikurshme”, – shkruajti “Marka”. Gazetat e kryeqytetit e quajnë ekipin “blaugrana” si favoritin për titull. Dy gola të Lionel Mesit e të Serzhinjo Destit, dhe nga një rrjetë e sulmuesve Grizman e Dembele. Barcelona ka 67 gola në 28 javë në La Liga, shumë më tepër sesa Atletiko (51) dhe Reali (49). Pas dy ndeshjesh do të ketë duelin direkt në Madrid ndaj Realit që mund të tregojë shumë për fatin e kampionatit.

Mesi arriti në ndeshjen-rekord numër 768 duke lënë pas Ksavin, e duke e festuar me dy gola. Kjo do të thotë se ai ka 23 gola këtë kampionat duke shkuar drejt Këpucës së Artë në Spanjë (baraz me Kristianon në Itali), dhe ka 663 gola për katalanasit e 735 gjithsej në karrierë. Edhe Mesi synon rekordin e Jozef Bicant me 805 gola ndonëse Ronaldo është më pranë. Ky shkëlqim i Barcelonës dhe i Mesit i detyrohet jo pak faktit se Zhoan Laporta u zgjodh presidenti i ri i klubit pak ditë më parë.

Sfidanti.al