Ai vetë nuk e kishte parashikuar se mund të ndodhte kaq shpejt, por as Jurgen Klopi nuk mund të jetë një “Nostradamus”. Trajneri i Liverpulit po kalon një krizë të tillë tek Liverpuli saqë nuk duket ndonjë shpresë në horizont se mund të përfundojë. Meqë, gazetarët e kanë për detyrë të hulumtojnë të kaluarën dhe të bëjnë krahasime, ja ku gjendet sezoni i fundit i Klopit me Dortmundin në 2014-2015. Ishte një vit tmerri me Borusian që zbriti deri në vendin e fundit të renditjes në Bundesligë, aq sa tifozët protestuan ashpër ndaj kapitenit Mats Humels (në foto). U desh një ecuri me 9 fitore, 3 barazime e 3 humbje në gjysmën e dytë të sezonit që Dortmundi të ngjitej në vend të 7-të, por të mbetej jashtë Championsit. Klopi u largua në fund të sezonit dhe u zëvendësua nga Tomas Tuhel.
Një krizë e tillë po ndodh tani, dhe trajneri gjerman po ndihet shumë i lodhur nga ana nervore, diçka që ia transmeton skuadrës së tij. A thua do të jetë ky viti i fundit edhe tek Liverpuli? Nuk mund të jemi të sigurt, pasi ai ka treguar se e merr veten shpejt. Në verën e 2015-ës u largua nga Dortmundi, pushoi, dhe në tetor të atij viti mori drejtimin e Liverpulit. Në prill 2016, në stolin e të kuqve eleminoi Dortmundin në çerekfinalet e Ligës së Europës, pra tregoi se e kishte marrë veten plotësisht.
Sfidanti.al