Kampionati më i vjetër i botës nuk duket edhe aq i disiplinuar sa ishte menduar. Në të vërtetë, kjo u mësua që në tetor kur u botuan shifrat e para lidhur me vaksinimin ndaj koronavirusit, kur niveli i imunizimit të dyfishtë mezi arrinte në 68 për qind. Më në fund, Premier Liga u detyrua të publikonte shifrat e reja. Deri tani, 77 për qind e lojtarëve në elitën angleze janë plotësisht të vaksinuar, duke marrë të dyja dozat e vaksinës, ndërsa 84 për qind janë “në rrugë e sipër” dhe kjo do të thotë se 16 për qind e tyre ende nuk e ka marrë dozën e parë. Duke përfshirë në llogari edhe stafet teknike, niveli i vaksinimit në Premier Ligë arrin në 92 për qind. Pavarësisht se këto shifra mund të quhen të respektueshme, sërish kampionati anglez është prapa ligave të tjera të mëdha në Europë, pasi Bundesliga ka 94 për qind të lojtarëve plotësisht të vaksinuar dhe Seria A e ka këtë nivel në 98 për qind. Për momentin, Premieri po goditet nga Kovidi, ndonëse 90 rastet e reja të raportuara janë shumë pak ndër 12 345 testime që janë bërë gjithsej.
Sfidanti.al