Reali i Madridit po përgatit një transferim spektakolar, gjatë verës së ardhshme, me qëllim që të sjellë në “Santiago Bernabe” Nejmarin! Ka disa kohë që po spekulohet se Nejmari nuk është i kënaqur te PSZH-ja në Paris dhe se dëshiron të kthehet në Spanjë. Ky futbollist brazilian, madje, në konferencën e fundit të shtypit qau, duke qenë se nuk e priste që ato fjalë që ai u kishte thënë me mirëbesim disa miqve të tij, të publikoheshin në media. Nejmari do që të kthehet në Spanjë dhe pretendohet se i ati i tij është takuar, së fundmi, me presidentin e Realit, Florentino Perez, që është gati të bëjë gjithçka që ta sjellë këtë futbollist brazilian në “Santiago Bernabe”.
Gazeta “Gardian” shkruante, sot, se Reali ka përgatitur një plan për ta bindur PSZH-në që ta lëshojë Nejmarin, se ai është gati që, krahas një shumë të madhe, të dërgojë në Paris edhe dy yje të vet, Garet Bejli dhe Toni Kros. Në fakt, nëse vjen një ofertë e tillë fantastike, presidenca e PSZH-së me siguri që do të mendohet mirë, para se të japë përgjigje.
Sfidanti.al