Pas fitores me Vllazninë, futbollistët e Partizanit kanë përfituar një pushim gati dyjavor. Lojtarët janë larguar drejt familjeve të tyre për të festuar festat e fundvitit, por, gjithsesi, ata mbeten me sy e veshë nga klubi. Është folur se ditët e fundit të 2017-ës janë vendimtare për të ardhmen e disa lojtarëve, pasi priten spastrime nga radhët e skuadrës.
Ndonëse ditë më parë, drejtori Rama tha se nuk do të largohet asnjë senator, por pas ndeshjes me Vllazninë, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Sulejman Starova pohoi se janë pikasur lojtarët që kanë zhgënjyer dhe që mund të mos jenë më pjesë e skuadrës.
“Pjesa e dobët? Do të vazhdojmë seleksionimin që nuk ka të bëjë thjesht me anën cilësore, por me kompleksitetin e futbollistit, i cili duhet të jetë i aftë që të përballojë dy situatat e lojës, si në aspektin sulmues dhe atë mbrojtës. Lojtarët që gabojnë vazhdimisht, ne i kemi parë dhe evidentuar tashmë.
Ndaj po bëjmë përpjekjet tona si klub që ta pasurojmë përbërjen e skuadrës. Po flas pa emra, pasi nuk kemi pse i përmendim ato”, u shpreh Starova pas fitores me Vllazninë. Pasiguria për të ardhmen i ka pushtuar futbollistët e Partizanit jo vetëm pas kësaj deklarate të fundit të trajnerit, por disa ditë më parë.
Pas humbjes turpëruese, 5-0, në Gjirokastër, trajneri Starova dha dorëheqjen, e cila zgjati vetëm 24 orë, pasi nuk u pranua nga presidenti Demi dhe bashkëpunëtorët e tij. Pas konfirmimit në krye të ekipit, më- sohet se drejtuesit i vunë edhe një mision të ri “Bobit”, përpilimi i listës së futbollistëve, që nuk i nevojiten skuadrës për pjesën e dytë të sezonit.
Me atë që deklaroi pas Vllaznisë, Starova la të kuptojë se e ka gati listën e spastrimeve, por nuk dha emra, mbase nga dëshira për të mos u prishur lojtarëve festat e fundvitit. Puna për pjesën e dytë të sezonit pritet të nisë më 4 ose 5 janar.
Për 3 ditë, të kuqtë do të përgatiten në kryeqytet, më pas do të nisin një minifazë përgatitore në Turqi, ku shpresohet që stafi teknik të ketë në dispozicion të gjitha përforcimet. Aktualisht, Partizani ka zyrtarizuar vetëm Bruno Telushin, por hyrje-daljet priten të jenë të shumta.
Marre nga Panorama Sport