Historinë e vërtetë të asaj që quhet ‘Paqja e Krishtlindjes’ nuk do ta mësojmë kurrë; tashmë kanë kaluar 103 vjet dhe dëshmitarë okularë nuk kanë mbetur më. Megjithatë Ndeshja e Krishtlindjes ka hyrë në memorien kolektive për domëthënien e saj të thellë dhe nuk ka dalë më prej andej. Ngjarja daton në vitin 1914 gjatë Luftës së parë Botërore. Ushtarë anglezë së bashku me disa francezë dhe ata gjermanë vendosën që të mos qëllonin më me armë ndaj njëri-tjetrit në një tokë neutrale në Ipres në Belgjikë. Papa Benedikti i XV u kërkoi ushtrive që të ndalonin luftën të paktën në 25 dhjetor, kërkesë që zyrtarisht u refuzua. Por ushtarët morën inisiativën dhe vendsën për të ulur armët e të shkëmbenin cigare, fotografi e të flisnin me njëri-tjetrit, për të zhvilluar më pas edhe një ndeshje futbolli.
Për disa orë tmerret e Luftës së Parë Botërore u harruan. Sigurisht nuk dihet nëse ishte një ndeshje e vërtetë futbollit apo një grup ushtarësh të dëshpëruar e tërë baltë që shfrytëzuan këtë moment për të shprehur dëshirën për paqe. E sigurt është se ajo ndeshje është njohur nga UEFA përpara 3 vjetësh në 100 vjetorin e Ndeshjes së Krishtlindjes. Presidenti i këtij institucioni i asaj kohe Mishel Platini shkoi ne Komines-Varneton të Belgjikës për të zbuluar skulpturën që nderon atë ndeshje. Për fat të keq pas asaj nate, konflikti u rindez madje akoma më i dhunshëm , edhe për 3 vjet të tjerë.
Sfidanti.al