Pezullimi ndihmon, Bajerni do titullin me Mylerin e Levandovskin “e freskët”!

Nuk ishin në fushë ndaj Borusias së Mynshengladbahut dhe mungesa e tyre u ndje. Gjithsesi, ndeshja u fitua dhe trajneri Hansi Flik e di se rikthimi në ekip i Tomas Mylerit dhe i Robert Levadovskit është një përforcim i madh për Bajernin, që luan sot në orën 20:30 në fushën e Verderit në Bundesligë, dhe që në rast fitoreje mund të marrë titullin. Bavarezët kanë 73 pikë ndaj 66 të Dortmundit, dhe me një sukses do të ruanin të paktën diferencën prej 7 pikësh, kur në lojë do të mbeteshin vetëm 6 të tilla.

Myleri dhe Levandovski do të jenë të freskët pasi për herë të fundit kanë luajtur të mërkurën e kaluar në ndeshjen e kupës ndaj Frankfurtit. Ata kanë edhe betejën personale, pasi që të dy kanë statistika të shkëlqyera. Levandovski ka shënuar 30 gola në 28 ndeshje, si dhe ka dhënë 4 asistë. Tomas Myleri ka pak rrjeta këtë sezon, vetëm 7 në Bundesligë, por është kryesues dhe rekordmen i asisteve me 20 të tillë, duke lënë pas rekordin e dikurshëm të Kevin De Brujnit.

Bajerni ka 29 tituj, pra do të mund të kishte titullin jubilar numër 30. Po ashtu, lufton për Kupën e 20-të jubilare, ndërsa nëse do të ketë aq zotësi dhe aq fat, do të fitonte Championsin e 6-të, për t’u barazuar me Liverpulin e përtë mbetur vetëm 1 kupë prapa Milanit që mban vendin e dytë.

Sfidanti.al