E para gjë që thotë është se lutet për shëndetin e shtatë herë kampionit të botës. E logjikshme apo jo, rëndësi ka që Zhan Todt uron me gjithë shpirt dhe përpiqet sipas mënyrës së tij të ndihmojë që Mikael Shumaheri të bëhet mirë. Ish-drejtori i Ferrarit, sot president i Federatës së Automobilizmit, është nga njerëzit e paktë që e di gjendjen e vërtetë të 7 herë kampionit të botës në Formula 1, por “fjala e dhënë” ndaj familjes së Shumit e bën që të mbajë gjithçka për vete. “Ka 6 vjet që Shumi lufton për t’u bërë mirë, padyshim që lutem për të, – u shpreh Todti. Ai beson që djali i kampionit, Mik Shumaher, do të ketë një karrierë të madhe në Formula 1.
Gjithsesi, për momentin, karrierën e madhe e ka Ljuis Hamilton, që ka 6 tituj botërorë dhe që po i afrohet titullit të 7-të, pra për të barazuar rekordin e Shumaherit. “Kam kujtime të mëdha me Shumin, – thotë ish-shefi i Ferrarit, – por, rekordet janë vendosur për t’u thyer. Kohët janë të ndryshme, nuk bëhen krahasime, por nuk ka dyshim se Hamiltoni e Mercedesi po bëjnë një punë të madhe”. Todtit i vjen keq që Fetel nuk ka një makinë për 2021-in pasi ta mbyllë me Ferrarin, dhe thotë se “Feteli e Alonso nuk fituan dot pa një makinë të mirë, edhe Shumaheri vuajti në vitet 1996-2000, mund të kesh talent, por nëse nuk ke skuadrën dhe mjetet e duhura, nuk ia del, fitorja është e përbashkët”.
Sfidanti.al