Penallti më të turpshme nuk ka, Sterling “rekord” në Champions!

Sulmuesi anësor i Mançester Sitit, Rahim Sterling, u bë aktor në rastin një penalltie shumë të turpshme, madje më të turpshmen në historinë e Ligës së Kampioneve (LK). Në ndeshjen e fundit kundër Shahtjorit të Donjeckut ai donte të gjuante topin, por goditi me majën e këpucës tokën dhe u rrëzua “bukur” me ligësi, ndërkohë që gjyqtari tregoi me dorë pikën e bardhë të 11-metërshit! Mbas ndeshjes Sterlingu i kërkoi falje gjyqtarit hungarez, Viktor Kasai.
“Unë nuk e di sesi ndodhi. Nuk ndjeva asnjë kontakt, doja vetëm të godisja topin, por i rashë me këpucë fushës dhe u rrëzova. Unë i kërkoj falje gjyqtarit”, tha Sterlingu.
Trajneri i Sitit, Pep Guardiola, e pranoi se ajo nuk ishte penallti, duke theksuar se edhe Liga e Kampioneve ka nevojë për sistemin VAR.
“Që ajo nuk ishte penallti, kjo është e qartë. Por në Ligën e Kampioneve gjyqtarët nuk kanë mundësi që t’i verifikojnë situatat e dyshimta. VAR-i akoma nuk është futur dhe ky është problem. Penallti të tilla të dyshimta janë dhënë edhe kundër Liverpulit”, tha trajneri spanjoll i Sitit.
Sfidanti.al