Pas Greqisë, Strakosha braktis edhe “shtëpinë e tij të dytë”: Nga Lacio tek Fulhami!

Në Angli e cilësojnë “badihava”, pra një transferim nga ata që quhen tepër të suksesshëm. Fulhami, i sapongjitur në Premier Ligë, do të ketë shërbimet e portierit të kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha, duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Mediat në Itali dhe në Angli e cilësojnë diçka thuajse të përfunduar, ndërsa gardiani 27-vjeçar vlerësohet si mjaft i përshtatshëm me 206 ndeshje për Lacion në Itali dhe 62 ndeshje pa pësuar gol. Jo më kot ai është edhe lojtar kombëtareje. Kontrata e shqiptarit me klubin italian përfundon në qershor dhe ai do të shkojë në Angli me parametër zero, ndërsa lacialët do të kërkojnë ndoshta portierin Sergio Riko, spanjoll që luan për Majorkën me huazim nga Paris SG. Për Strakoshën kjo do të thotë braktisje e “shtëpisë” së tij të dytë, pasi u largua në moshë shumë të re nga “shtëpia” e tij e parë, Greqia.

Sfidanti.al