Një klub nga Franca kurrë nuk e ka pasur të lehtë që të pushtojë kontinentin, krejt ndryshe nga ushtritë e Sharlëmanjës, Luigjit të XIV-të apo Napoleonit. E provoi Reimsi në vitet 50-të, pastaj Sent Etienit në vitet 70-të, dhe ëndërroi Bordoja në vitet 80-të, por u desh Olimpiku i Marsejës me paratë e Bernar Tapisë që t’ia dilte më në fund në 1993. E famshmja sigël “OM” mbetet sot e kësaj dite krenaria e vetme franceze në Champions, por duket se ka ardhur momenti që historia të ndryshojë.
Paris SG, me paratë e naftës së Lindjes së Mesme, shfrytëzoi rrethanat dhe arriti finalen e parë për të gjitha kohët, duke mundur 3-0 Lajpcigun në Lisbonë. Turneu me grumbullim në Portugali po i përshtatet ekipit të Nejmarit, Mbapesë dhe Di Marisë. Ky i fundit na kujtoi kohët e tij më të mira tek Reali, duke shënuar gol e duke shërbyer dy asistë. Nejmar ishte i shkëlqyer edhe pse nuk shënoi, madje humbi raste, duke dhënë një asist me thembër, e duke goditur dy herë shtyllat. Lajpcigu, ndryshe nga ndeshja me Atletikon, u duk i vogël këtë herë. Markinjos e Bernat shënuan dy golat e tjerë për francezët, që arritën finalen e parë për një ekip të Ligës së Parë që nga Monako e vitit 2004. Shpresa është që të përfundojë më mirë sesa humbja e atëhershme 0-3 ndaj Portos së Murinjos, ndërsa pritet rivali mes Bajernit e Lionit. Gjermanët janë favoritë dhe fitorja e tyre 8-2 ndaj Barcelonës tremb, por ndoshta mbrojtja bavareze nuk është pa të meta.
Sfidanti.al