Barcelona, operohet Ter Stegen, 2 muaj e gjysmë jashtë fushave

Marc André Ter Stegen  iu nënshtrua një operacioni paraditen e së martës në tendinën e gjurit të djathtë, ndërhyrje që u krye nga skuadra e mjekëve e drejtuar nga Dr. Ramon Cugat. Që në momentin e kryerjes së operacionit u kuptua që gjendja e tendinës së gjurit të Ter Stegen nuk ishte aq e rëndë sa u parashiukua dhe u desh pak më shumë se 1 orë që ky operacion të mbyllej.

Lajmi i mirë është se portieri gjerman do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për një kohë më të shkurtër nga sa u parashikua. Fillimisht u mendua se Ter Stegen do të qëndronte jashtë fushave për 3-4 muaj, por pas operacionit ai nuk do të jetë me skuadrën për 2 muaj e gjysmë, dicka që u konfirmua edhe në një komunikatë zyrtare të Barcelonës

Kjo do të thotë se Ter Stegen nuk do të luajë me Barcelonën deri në fillim të muajit nëntor, pra do të humbasë fillimin e sezonit në La Liga. Kjo situatë do të detyrojë Koeman të mendojë për gjetjen e një portieri tjetër duke qenë se do të nisë sezonin me Neton dhe 2 gardianët e ekipeve zinxhire, Inaki Pena dhe Arnau Tenas.

Po kështu, Ter Stegen vetë do të duhet të presë nënshkrimin e kontratës së re që po pritet me kaq ankth duke qenë se Barcelona në këtë moment ka si prioritet riorganizimin e skuadrës duke planifikuar largimet dhe afrimet e futbollistëve.

Sfidanti.al