E kishte bërë që në Kupën e Botës në Rusi në 2018, ndërsa me skuadrën e klubit ia doli thuajse për pak sezonin e kaluar në finalen e Championsit, si dhe në turin e dytë të këtij edicioni në “Kamp Nou”. Pasi shënoi tri herë në stadiumin e Barcelonës, Kilian Mbape u përsërit me dy gola në “Alianc Arenën” e Bajernit, duke i dhënë Paris SG hakmarrjen për humbjen e vjetshme në Lisbonë.
Sulmuesi 22-vjeçar i Francës duket në kulmin e formës, edhe më i mirë se Erling Haland, pra ylli kryesor i futbollit botëror. PSG fitoi 3-2 një ndeshje të vështirë, ku Bajerni nuk pati lojtarin më të mirë të botës për vitin e kaluar, Robert Levandovski. Nuk pati as Serg Gnabrinë, por edhe parizienët patën mungesa në krahasim me finalen e vjetshme pasi janë larguar Kavani, Tiago Silva, ndërsa të dëmtuar ishin Verrati, Sarabia, Ikardi e Florenci.
Gjithsesi, dyshja kryesore e sulmit ishte në fushe, Mbape-Nejmar, dhe ajo bëri diferencën, ashtu si edhe Di Maria, por edhe lojtarët e tjerë që nga Kejlor Navas, Markinjos, Kimpembe, Dagba, Diallo, Danilo Pereira, Geje dhe Draksler, si dhe ata që hynë nga stoli si Herrera, Kean, Rafinja apo Baker. PSG shënoi që në 3’ me Mbapenë, dyfishoi në 28’ me Markinjosin, por bavarezët nuk u dorëzuan. Çupo-Moting ngushtoi shifrat në pjesën e parë dhe Tomas Myler barazoi në 60’, por kundërsulmi solli golin e tretë shënuar nga Mbape në 68’. U duk si finalja e Botërorit meksikan në 1986 mes Argjentinës së Maradonës dhe Gjermanisë Perëndimore.
Bajerni e nisi ndeshjen më mirë, krijoi dy raste që në fillim dhe goditi shtyllën në minutën e 2-të. Më pas, të dyja skuadrat patën raste, por përfundimisht fituan francezët, të cilët do të jenë favoritë të mëdhenj në ndeshjen e kthimit pas 6 ditësh në Paris, aq më tepër që Levandovski sërish nuk do të luajë.
Sfidanti.al