Tomas Tuhel u shpreh më pas se ai kishte qenë i sigurt për një gjë, që lojtarët e tij do të reagonin pas humbjes së rëndë në Premier Ligë. Kjo ndodhi, me fitoren 2-0 në Sevilje që u quajt fusha e Portos, por Tuheli pohoi se nuk kishte qenë aspak e lehtë të merrej komandimi në çerekfinalen e Championsit. Dy lojtarë anglezë shënuan golat, Mejzën Maunt dhe Ben Çiluell, për herë të parë që kjo ndodh në një ndeshje në Champions për blutë që nga marsi i 2012-ës, kur këtë e bënin Xhon Terri e Frenk Lampard kundër Napolit.
“Ishte një ndeshje e vështirë, – tha Tuheli, – pati momente kur ne vuajtëm. Ne e pranuam këtë gjë, dhe rrethanat janë disi të ndryshme në çerekfinale. Fryma e skuadrës ishte e mirë dhe rezultati është i shkëlqyer. Isha i bindur se do të reagonim, e pashë që të nesërmen me reagimin e lojtarëve ndaj nuk kisha ndonjë shqetësim të madh. Fitoret kanë një ndikim të madh në ekip, ato të rrisin besimin dhe krijojnë bashkësinë. Ne patëm disa rezultate shumë të mira së bashku, humbëm një ndeshje së bashku dhe reaguam së bashku”.
Ndeshja e dytë do të luhet të martën tjetër gjithashtu në Sevilje, që këtë herë do të jetë stadiumi i Çelsit. Mediat angleze janë thuajse të sigurta se Porto nuk do t’ia dalë që ta përmbysë rezultatin dhe “Deili Meil” bën shaka duke bërë pyetje: “Pse kush është kjo Porto? Mos është Uest Bromi?” Me të vërtetë, pasi Uest Bromi mund ta kishte eleminuar Çelsin me fitoren 5-2, siç e mundi në kampionat.
Sfidanti.al