Epoka e re po hapet dhe mund të jetë më e madhe. Gjithsesi, yjet si Nejmar, Mbape, Di Maria e të tjerët, duhet të dinë se Paris SG ka pasur një histori edhe pse nuk ka nisur shumë kohë më parë. Themeluar vetëm në 1971, skuadra e kryeqytetit të Francës pati nevojë për shumë vjet që të dilte mbi ujë në një klimë mbytëse me ekipe si Sent Etieni, Bordoja apo Marseja. Për herë të parë doli në Europë në 1982 dhe u eleminua në Kupën e Kupave në çerekfinale nga një ekip i panjohur belg.
Në vitet 1992-1997, kryeqytetasit dolën 5 herë radhazi në gjysmëfinalet e kupave të Europës, diçka që nuk ka ndodhur më që atëherë. Tri herë në Kupëne Kupave, një herë në Ligën e Kampionëve dhe një herë në Kupën UEFA. Ishte një brez i madh këtu e 25 vjet më parë. Paris SG fitoi trofeun e tij të parë dhe të vetëm në Europë, Kupën e Kupave pas triumfit 1-0 në finalen ndaj Rapidit të Vjenës në Bruksel. Ishte brezi i përbërë nga portieri Bernar Lama, i Alen Rosh, Pol Le Gen, Bruno Ngoti, Loren Furnie, Daniel Bravo, Vinsent Geren, Patrik Kojeter, Rai, Juri Zhorkaef dhe Patris Loko, sa për të përmendur ata që ishin në fushë. Për parizienët luajti më parë edhe Zhorzh Ueah si dhe David Zhinola përpara sesa të largoheshin për në Itali dhe Angli, dhe në 1997 ishte edhe Leonardo.
Atëherë ishin thuajse që të gjithë francezë me një, dy apo tri përjashtime, ndërsa sot PSG është një skuadër konglomerat nga e gjithë bota. Vlera e saj është tepër e madhe dhe sheikët nuk i kanë kursyer paratë. Gjithsesi, do të duhet mrekullia për t’u shkruar në histori, fitorja e Championsit ashtu si Olimpiku i Marsejës në 1993.
Sfidanti.al