Papritur në Itali po mburrin Juventusin: Është shumë i fortë!

Kanë qenë po këto media dhe këta analistë që e kanë bërë “për një lek” skuadrën e trajnerit Masimiliano Alegri, por papritur zbulojnë se ajo është vetëm 4 pikë larg Milanit kampion në Serinë A. Mjaftoi një fitore (e rëndësishme), 2-0 ndaj Interit të fortë, që “La Gazeta delo Sport” të shkruante se “Juventusi ka arsye për të besuar”. E përditshmja thekson se bardhezinjtë kanë mbrojtjen më të fortë të kampionatit, kanë 4 ndeshje pa pësuar gol, dhe në 6 ndeshjet e fundit nuk ka fituar dot vetëm në fushën e Milanit. Tashmë, Juvja është 2 pikë larg vendit të tretë në Serinë A dhe 4 pikë larg kuqezinjve, ndonëse Napoli për momentin është larg. Gjithsesi, me kaq shumë gjëra të këqija që u thanë për “zebrat” dhe bashkë me eliminimin nga Championsi, momenti duhet të cilësohet i shkëlqyer. Interi u mund në Torino falë golave të shënuar pas pushimit nga Rabio dhe i riu Faxholi.

Sfidanti.al