Nagelsmani qorton Bajernin: Pas rezultatit 3-0 ia futëm gjumit!

Nuk mundi të ishte i qetë deri në fund të ndeshjes, edhe pse mendoi se mund të kishte ndodhur ndryshe. Trajneri i Bajernit, Julian Nagelsman, s’e pati lumturinë të plotë pavarësisht fitores në Berlin ndaj Hertës, pasi të vetët kryesuan 3-0 dhe pastaj u rrezikuan në 2-3. “Ne nuk ishim të përqëndruar pas rezultatit 3-0, – tha ai, – ne ia bëmë jetën të vështirë vetes”. Bajerni vërtet pati dominim në mbajtjen e topit me 65 për qind, por kjo nuk “u përkthye” në rrezikshmërinë e duhur para portës. Në këtë aspekt, bavarezët nuk e bënë dot diferencën edhe pse me 10 gjuajtje drejt portës (6 të Hertës), por nga 5 gjuajtje në kuadrat për secilën skuadër. Kampionët kanë 28 pikë në 13 ndeshje, e për habi kanë humbur rrugës plot 11 pikë! Gjithsesi, dominimi me gola është absolut, pasi bilanci është 41 të shënuar e 12 të pësuar! Vështirë që Unioni i Berlinit, madje edhe Dortmundi ta mbajnë ritmin e bavarezëve.

Sfidanti.al